Operacionin “Chat Line 5”, arrest për prostitucion
Operacionin “Chat Line 5”, sapo është finalizuar me sukses nga Policia e Tiranës.
Janë arrestuar 2 shtetase si dhe është proceduar penalisht një tjetër për veprën penale “Shfrytëzimi i Prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Prostitucioni”.
Arestimi u krye nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku shtetaset që ranë nën pranga, pas arrest në flagrancë, janë B.S., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore e një studioje “Chat Line” për veprën penale “Shfrytëzimi i Prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Në pranga ra dhe A.K., 27 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Prostitucion” si dhe u procedua penalisht për veprën penale “Prostitucioni” shtetasja M.A., 40 vjeçe.
“Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasja B. S., dyshohet se prej një kohe të gjatë, punësonte vajzat e mësipërme dhe i shfrytëzonte ato për prostitucion virtual nëpërmjet internetit, aktivitet i cili kryhej në një apartament në rrugën “Reshit Petrela”. Gjatë kontrollit në këtë apartament u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kompjuterë dhe pajisje të ndryshme që përdoreshin për kryerjen e aktivitetit”, sqaron policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” të parashikuara nga nenet 114/2 dhe 115 të Kodit Penal për shtetasen B.S., dhe për veprën penale “Prostitucioni” parashikuar në nenin 113 për shtetaset A.K., dhe M.A.