Banka e Shqipërisë: Norma bazë e interesit nuk ndryshon pë vitin 2018
Banka e Shqipërisë lajmëroi sot se nuk do të ndryshojë normën bazë të interesit para tremujorit të fundit të vitit, duke e lënë atë në nivelin aktual prej 1.25%, shkruan monitor.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko tha sot në një konferencë për shtyp menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrje se “intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet para tremujorit të katërt të vitit 2018”. Politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun stimulues gjatë gjithë horizontit afatmesëm, për të siguruar kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv.
Guvernatori raportoi se, inflacioni shënoi një rritje të lehtë gjatë tremujorit të parë të vitit, duke regjistruar vlerat 1.7% dhe 2.1%, respektivisht në muajt janar e shkurt 2018. Kjo rritje reflektoi kryesisht çmimet më të larta të ushqimeve, të ujit dhe të qirasë.
Megjithatë, inflacioni vijon të mbetet nën objektiv. Në terma makroekonomikë, kjo ecuri pasqyron efektin e kombinuar të tre faktorëve, shpjegoi kreu i Bankës Qëndrore:
Së pari, shfrytëzimi ende jo i plotë i kapaciteteve prodhuese bën që rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit të mos jetë ende në linjë me objektivin tonë të inflacionit.
Së dyti, presionet e huaja për rritjen e çmimeve paraqiten të dobëta, të ndikuara nga niveli i ulët i inflacionit në vendet partnere tregtare dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut.
Së treti, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin janë ende poshtë objektivit tonë.
Guvernatori tha se informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se rritja ekonomike e tremujorit të parë është mbështetur nga zgjerimi i konsumit privat, nga vazhdimi i trendit rritës të investimeve, si dhe nga shpejtimi i ritmit të realizimit të shpenzimeve buxhetore. Nga ana tjetër, deficiti i shkëmbimeve tregtare në mallra u shfaq i luhatshëm: ai u zgjerua në muajin janar dhe u ngushtua në muajin shkurt.
Zgjerimi i kërkesës agregate vazhdon të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rënie të papunësisë, sikundër dëshmohet nga të dhënat e tregut të punës për tremujorin e katërt. Megjithatë, rritja e pagave mbetet ende e zbehtë.
Ecuria pozitive e ekonomisë është mbështetur nga politika jonë monetare stimuluese, nga përmirësimi i besimit në ekonomi, dhe nga zgjerimi i kërkesës së huaj për mallra e shërbime shqiptare. Gjithashtu, ajo është favorizuar nga reduktimi i huamarrjes publike, çka ka ulur primet e rrezikut dhe ka lehtësuar përcjelljen e politikës monetare në tregjet financiare.
Normat e ulëta të interesit kanë mbështetur rritjen e konsumit dhe të investimeve private, nëpërmjet nxitjes së kreditimit dhe nëpërmjet uljes së kostos së shërbimit të borxhit ekzistues. I pastruar për efektin e kursit të këmbimit, portofoli i kredisë totale regjistroi një rritje mesatare vjetore prej 5.8% në muajt janar e shkurt. Ky zgjerim vijon të mbështetet në masën më të madhe nga rritja e kredisë në lekë, portofoli i së cilës shënoi një rritje mesatare vjetore prej 7.2% gjatë periudhës në fjalë, ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë u rrit me 4.7%.
Paralelisht me të, politika monetare lehtësuese ka ndihmuar gjithashtu reduktimin e kredive me probleme, nëpërmjet nxitjes së kërkesës dhe nëpërmjet inkurajimit të ristrukturimit të kredive. Ky tregues vijoi të qëndrojë në nivele të ngjashme me fundin e vitit 2017.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kthimi gradual i ekonomisë në potencial dhe shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, do të shoqërohen me një rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit, duke forcuar presionet e brendshme inflacioniste. Po ashtu, inflacioni në tregjet e huaja pritet të rritet ndërsa mbiçmimi i kursit të këmbimit pritet të zbehet, duke mundësuar një transmetim më të plotë të presioneve të huaja në tregjet e brendshme. Së fundi, pritjet për inflacionin parashikohet të rriten, duke ndjekur ecurinë faktike të këtij treguesi.
Në përputhje me këto vlerësime, inflacioni vjetor pritet të luhatet rreth nivelit 2.2% për vitin 2018 dhe të kthehet në objektivin tonë brenda vitit 2019.
Bazuar në këto gjykime, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar edhe normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vazhdon të mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm. Në veçanti, rikuperimi i ekonomisë evropiane mbetet subjekt rreziqesh e pasigurish, ndërsa oferta për kredi bankare vijon të mbetet e shtrënguar. Sa i takon kësaj të fundit, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se reduktimi progresiv i rrezikut të kredisë duhet të shoqërohet me politika më realiste kreditimi nga sektori bankar, çka do të krijonte premisa për plotësimin e nevojave për financim të ekonomisë, të cilat pritet të vijnë në rritje në të ardhmen