SHISH, raport në Komisionin e Sigurisë
Helidon Bendo, Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, ka raportuar në Komisionin e Sigurisë për influencën ruse. Bendo, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, mohoi që në Shqipëri të ketë influenca ruse, por u shpreh se ka pasur tendenca.
Por raporti është mbajtur larg publikut, për shkak të informacioneve që duhet të mbeten sekret. Deputetët e kanë pyetur kreun aktual të Shërbimit Informativ edhe për ndikimin rus dhe dyshimet për financime ruse.
Ne raportin për më shumë se tre ore në komisionin i cili u zhvillua pa praninë e mediave, mësohet se deputetët e opozitës e pyetën Bendon për ekzistencën e një raporti sekret për 124 drejtues policie të inkriminuar në trafik droge, por edhe për lidhjet e politikaneve me 613 kg kokaine të sekuestruar në Maminas.
Ne përgjigjet e tij, mësohet se kreu i Shërbimit Informativ nuk mohoi ekzistencën e raportit, ndërsa për kokainën dhe lidhjet e saj me politikanët nuk preferoi të flasë.
Raport i Kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, në Komisionin e Sigurisë, vjen një ditë pasi Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë njoftoi për dëbimin e dy diplomatëve rusë, pasi janë gjetur të papërshtatshëm për statusin e diplomatit.