Rusia: Do të reagoj ‘ashpër’, ndaj sulmit të kordinuar të dëbimit për spiunët
Moska thotë se ‘do të reagojë ashpër’ ndaj një vendimi të SHBA-së për dëbimin e 60 diplomatëve rusë, tha zëvendës ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, por shtoi se ishte ende ‘e hapur për bisedimet strategjike të stabilitetit me Uashingtonin’.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën dëbimin e 60 diplomatëve rusë, duke u bashkuar me qeveritë në të gjithë Evropën për të ndëshkuar Kremlinin për sulmin me agjentin nervor të ish spiunit rus në Britani.
Më shumë se 20 aleatë perëndimorë urdhëruan dëbimin e dhjetra diplomatëve rusë në një shfaqje solidariteti me Britaninë e Madhe që përfaqëson goditjen më të madhe të përbashkët ndaj rrjeteve të inteligjencës ruse në perëndim që nga lufta e ftohtë.
Më shumë se 100 diplomatë rusë që thuhet se janë spiunë në vendet perëndimore u është thënë të kthehen në Moskë, në një përgjigje të koordinuar ndaj përdorimit të një arme kimike në tentativën e vrasjes së Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia , në Salisbury më 4 mars.
Në një deklaratë Theresa May mirëpriti siç tha ajo “dëbimin më të madh kolektiv të oficerëve të inteligjencës ruse në histori”.
“Kam gjetur solidaritet të madh nga miqtë dhe partnerët tanë në BE, Amerikën e Veriut, NATO-n dhe më gjerë gjatë tre javët e fundit, ndërsa ne kemi përballur pasojat e incidentit të Salisbury”, tha ajo . “Së bashku kemi dërguar një mesazh se nuk do të tolerojmë përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të hedhur poshtë ligjin ndërkombëtar dhe për të minuar vlerat tona”.
Të hënën, qeveria ruse e quajti dëbimet “një gjest provokues” dhe tha se do të hakmerrej njëlloj, duke rritur mundësinë e dëbimeve të mëtejshme, pasi SHBA dhe Evropa e lanë derën hapur për masa shtesë. Kremlini tha se Vladimir Putin do të marrë vendimin përfundimtar dhe ambasada ruse në SHBA filloi një sondazh mbi Twitter duke kërkuar që konsullata e SHBA në Rusi duhet të mbyllet.
Urdhëri i SHBA për dëbimin e 60 zyrtarëve rusë përfshin një numër të tyre në Kombet e Bashkuara dhe mbylljen e konsullatës në Seattle, e cila do t’i japë fund përfaqësimit diplomatik rus në bregun perëndimor.
Anëtarët e BE Gjermania, Franca dhe Polonia secili do të dëbojë nga katër diplomatë rusë me prejardhje nga agjencia e inteligjencës. Lituania dhe Republika Çeke do të dëbojnë tre, Danimarka Italia dhe Hollanda nga dy. Estonia, Letonia, Kroacia, Finlanda, Hungaria, Suedia dhe Rumania secili dëboi një rus. Islanda njoftoi se nuk do të dërgonte zyrtarë në Kupën Botërore në Rusi.
Ukraina, e cila nuk është anëtare e BE, do të dëbojë 13 diplomatë rusë, ndërsa Shqipëria, kanditate e BE-së dhe anëtare e NATO-s, urdhëroi largimin e dy rusëve nga ambasada në Tiranë. Maqedonia, një kandidat tjetër i BE, dëboi një zyrtar rus.
Kanadaja njoftoi se përjashtonte katër staf diplomatik rus që shërbenin në Ottawa dhe Montreal, të cilët qeveria kanadeze tha se ishin spiunë.
Australia konfirmoi se edhe ajo do të dëbonte dy diplomatë rusë që ishin në vend si oficerë të padeklaruar të inteligjencës, duke u dhënë atyre shtatë ditë për t’u larguar.
Raj Shah, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, u tha gazetarëve të hënën se dëbimet e SHBA ishin pjesë e “një përpjekje të koordinuar”.
Ai shtoi se Donald Trump “foli me shumë liderë të huaj, aleatë evropianë dhe të tjerë dhe i inkurajoi ata të bashkoheshin me Shtetet e Bashkuara në këtë njoftim”.
Shah e përshkroi dëbimin si “një mesazh të rëndësishëm për të dërguar në Rusi dhe e rëndësishme për të degraduar aftësitë e tyre të inteligjencës”.
Deri në fund të ditës së hënë një “koalicion i vogël i të gatshëmve” brenda BE-së, raporton the Guardian, kishte thënë për Zyrën e Jashtme të Britanisë së Madhe se ata nuk ishin të përgatitur për të dëbuar diplomatë rusë në solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar. Tetë vendet si Portugalia, Austria, Bullgaria, Qiproja, Malta, Sllovakia, Sllovenia dhe Luksemburgu. Belgjika dhe Irlanda nuk kanë bërë njoftime por kanë treguar se do të ndërmerren veprime pas takimeve të kabinetit.
Britania e Madhe dëboi 23 diplomatë rusë pas helmimit dhe Rusia u përgjigj duke nxjerrë të njëjtin numër diplomatësh britanikë.
Ministria e Jashtme ruse lëshoi një deklaratë ku denoncohej dëbimet si “një hap jo miqësor” bazuar në aleanca dhe jo në prova. “Gjesti provokues i të ashtuquajturës solidaritet të këtyre vendeve me Londrën, i cili me verbëri ndoqi autoritetet britanike në të ashtuquajturin rast Skripal dhe që kurrë nuk arriti të zgjidhte rrethanat e incidentit, është një vazhdim i politikës konfrontuese për të përshkallëzuar situatën “, tha deklarata.