AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama fermerëve: Paraqisni projekte në agjencitë përkatëse për të përfituar fonde

Kryeministri shqiptar Edi Rama,  gjatë takimit me fermerët e Librazhdit,  tha se, që fshati të jetë i suksesshëm, fermerët duhet të ndjekin vetëm një rrugë, atë të bashkimit.  Ai sugjeroi grumbullimin e prodhimeve bujqësore, në të kundërtën  ata do të bien pre e grosistëve dhe e paditurisë.

“Sot suksesi është rezultat i bashkimit, kudo ku ka sukses sot në fshat, suksesi nuk është personal , individual. Kjo nuk do të thotë hajde të bashkojmë tokat, por të bashkojmë mendjen dhe forcat secili në tokën e vet, secili në ato dynym apo ato hektarë që ka. Por ama me një ndërveprim dhe një vendimmarrje, çfarë do prodhojmë dhe do e shesim sëbashku. Nëse jemi të ndarë, dy dynym këtu, tre atje jemi pre e grosisteve që vijnë dhe o na e marrin për 5 lekë ose nuk na i marrin fare. Apo më keq akoma jemi pre e paditurisë me prodhime që na ngelen nëpër shtëpia që kalben dhe hidhen në lumë. Në bujqësi historia e zhvillimeve në BE dhe kudo ku ka suksese tregon se është dija e para, të dish, të jesh i informuar se çfarë kërkon tregu, çfarë është më e mira që mund të bëhet në këtë zonë dhe pastaj të jesh i bashkuar në shitje në mënyrë që të ofrosh sasi të madhe dhe të kontrollosh ti çmimin jo të vinë të ta vendosin të tjerët çmimin edhe të kapin në hall se mund të të mbetet malli.”

Kryeministri tha se fermerët do të mbështeten edhe duke u kaluar ne përdorim toka shtetërore të mbjella me peme.

“Ajo që unë po insistoj me ministrin e Bujqësisë është që ne i kemi dhënë legalizim njerëzve që kanë ndërtuar shtëpi, ndërkohë që tokat shtetërore të lira ne i vëmë në dispozicion të sipërmarrësve dhe i themi hajde merrini me qira 1 euro dhe mbilleni që këtu këto toka janë mbjellë. Për të shkuar e për ti prerë me sharrë këto pemë është pa logjikë. Atëherë ajo që po bëjmë është të përgatisim një formë pronësie, marrje në përdorim, po po punoj të njihet e drejta atyre që i kanë mbjellë, punojnë, kultivojnë dhe me to jetojnë, sepse në fund të fundit këtë po kërkojmë dhe ne”.

Z. Rama u beri thirrje fermerëve, duke u ndalur tek pikat e grumbullimit, që të bëjnë projekte e t’i paraqesin ato ne agjencitë përkatëse për të përfituar fonde.