Mogherini në Beograd: Çfarë ndodhi dje, nuk duhet të ndodhë prapë
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, shkoi të martën pasdite në Beograd, për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një komunikatë të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se është biseduar në mënyrë të hapur, miqësore dhe thelbësore për zhvillimet e fundit dhe të ardhmen e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Gjatë bisedës, zonja Mogheirni “shprehu keqardhjen për ngjarjet e djeshme në Kosovë. Çfarë ndodhi dje nuk duhet të ndodhë prapë. Bashkimi Evropian pret qetësi, urtësi, përmbajte dhe udhëheqje të duhur”.
Në komunikatë thuhet se “presidenti dhe përfaqësuesja e lartë u pajtuan për të kërkuar rrugë të reja për të vazhduar punën dhe zgjidhur në rrugë paqësore çështjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ata janë pajtuar se është në interesin kombëtar dhe shtetëror të Serbisë që të ruhet qëndrueshmëria, paqja dhe përparimi në rrugën evropiane”, thuhet në njoftim.
Vizita pason ngjarjet e një dite më parë në veriun e Kosovës ku policia arrestoi zyrtarin serb Marko Gjuriç, për shkak të hyrjes së paligjshme në Kosovë.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të “dëshmojnë përmbajtjen e domosdoshme dhe pjekuri” dhe të ruajnë dialogun.
Edhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë nënvizuar se “dialogu nuk ka alternativë”/ VOA