Mali i Zi: Do të ndjekim politikën e jashtme të BE-së
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, ka deklaruar sot lidhur me solidaritetin e vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, me Britaninë e Madhe, për shkak të sulmit me agjentin nervor, se vendi i tij do të deklarohet shumë shpejt për këtë çështje.
“Nga ai anëtarësim dhe proces dalin detyrimet për ndjekjen e politikës së jashtme të BE-së, por edhe për solidarizim me vendet anëtare të NATO-s. Ajo çfarë ndodhi në Londër, flet për një përgjegjësi të Rusisë, për çka ishim dëshmitarë të një reagimi të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, pra BE-së dhe SHBA-ve. Mali i Zi, në cilësinë e një shteti të përgjegjshëm sot ose më së voni nesër, do të deklarohet lidhur me këtë çështje”, tha Markoviç.
Markoviç theksoi se Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe shteti i parë i radhës që do t’i bashkohet BE-së.
Edhe pse ai nuk njoftoi se cili do të jetë vendimi i qeverisë së tij, Mali i Zi është i obliguar të ndjekë politikën e jashtme të BE dhe Aleancës të Atlantikut të Veriut , ku ai është vendi më i ri anëtar i NATO-s.