Financat: Taksa e re e pronës
Ministri i Financave Arben Ahmetaj, gjatë raportimit të sotëm në Komisionin e Ekonomisë, ka ndalur te taksa e re e pronës.
Ministri tha se projekti do të marrë mbështetje nga Prilli 2018- Dhjetor 2020 dhe rreth 3.5 mln euro do t’i mundësohet nga qeveria suedeze, sipas projektit të parashikuar. Ai tha se në këtë projekt do të përjashtohen banesat sociale, pensionistet që jetojnë vetëm, strukturat akomoduese me status special.
Metodologjia është bazuar nga databazat e shoqatave të bashkisë, sipas ministrit, duke ruajtur kështu autonominë vendore. “ Do të bazohet mbi vlerën e tregut të banesave, dhe do t’i jepet mundësia bashkive që të ulin çmimin deri në 30% për zonat periferikë. Për Tiranën shkon deri në 35% ulja që mund të bëjë bashkia për të ndihmuar grupet në nevojë. Për ndërtesat në proces ndërtim është vendosur një koeficient 30 për qind.”- tha ai.
Ministri Ahmetaj njoftoi se nesër do të miratohet projektvendimi për drejtorinë e përkohshme të administrimit të taksës së pasurisë.
Deputetja e opozitës Jorida Tabaku tha se të ardhurat nga taksa e pronës parashikohen dyfish më të larta. “ Sa realist është parashikimi? A ka marrë parasysh që mund të çojë në uljen e arkëtimeve të Agjentit që do të mbledhë taksën?” drejtoi pyetjen znj. Tabaku.
“Me metodologjinë e re është më reale dhe më i mbledhshëm”,- tha z. Ahmetaj.
Sipas Znj. Tabaku, sistemi dixhital kërkon kohë dhe nuk është ende gati. “Ka 200 mijë banesa që janë në proces legalizimi. Do të ketë shkallë te larte abuzimi për mbledhjen e saj. Unë mendoj që me 1 prill nuk është gati për t’u aplikuar. “- tha më tej deputetja.
Ahmetaj iu përgjigj se kadastra do të jetë gati brenda disa muajve. Sipas tij, është detyra e qeverive vendore për të administruar taksën. “ Koeficienti është i ndryshëm për kategori të ndryshme. Fillimi nuk është i lehtë. Databaza është, ndoshta jo e përkryer, ka vend për korrigjim.
Nuk shikoj vështirësi të mëdha në këtë drejtim. Taksa afron bashkitë më pranë me komunitetin. Qeveria do të ndihmojë në hapat e para. “ – përfundoi ai.
Kryetari i Komisionit z. Erion Brace shtroi pyetjen se si do të operohet me përjashtimet nga taksa e pronës. “ A do të ketë kufizimi ndaj bashkive për të ardhurat qe vijnë nga kjo taksë,? “- tha ai.
Kreu i financave shqiptare tha se bashkitë e kanë gati databazën për ata që do të përjashtohen. “I kemi kërkuar ISSH- që të sjellë dhe perditesojë listat e pesionistëve. Qeveritë vendore duhet të shlyejnë detyrimet e parapambetura. “- tha ministri.
Taksa e pronës, sipas formulës së re tashmë të miratuar edhe në mënyrë ligjore do të nisë zbatimin e saj nga 1 prilli i këtij viti. Ligji parashikon një hark kohor parapërgatitor për insitucionet që është periudha janar-mars ndërkohe që nga 1 prilli ligji “Për taksat vendore” ku përcaktohet edhe taksa e pronës është parashikuar të hyjë në fuqi. Formula e re e taksimit të pronës paraqet në vetvete një reformim tërësor nga e kaluara, për të cilën do të merret asistence nga institucionet ndërkombëtare të specializuara. Ky është një projekt tre vjeçar me SIDA-n (Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar) e cila do të asistojë palën shqiptare.
Qeveria në ligjin “për taksat vendore” caktoi përqindjen që do të llogaritet si taksë nga vlera totale e ndërtesës.
“Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë: a) 0,05 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim; b) 0,2 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike; c) 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi” thuhet në ligj.
Nga ana tjetër agjenti i mbledhjes së kësaj takse sikurse është deklaruar edhe më herët është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Në ligj kushtet për agjentin lidheshin me bazën e të dhënave si dhe sistemin elektronik. Aktualisht OSHEE është duke punuar me projektin për përditësimin e adresave që indirekt edhe pse nuk është deklaruar asnjëherë, mund të ndihmoje edhe për arkëtimin e taksës së re të pronës. Së fundmi, OSHEE ka dalë me një reklamë, ku i njofton të gjithë qytetarët se në rast se nuk bëjnë përditësimin e adresës dhe të dhënave deri në 30 janar, do t’u ndërpritet enegjia elektrike.