AktualitetPolitikëTë fundit

Shqipëria dëbon diplomatët rusë: Veprimtaria e tyre nuk përputhet me statusin diplomatik

Vladislav Filipov, atasheu ushatarak rus dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës duhet të largohen nga Shqipëria.

Vendimin e bëri të ditur Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila thirri ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin.

“Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, SH.T.Z. Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve  rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik” , thuhet në deklaratën e sotme të kësaj  ministrie  e kryesuar nga Ditmir Bushati.

Ky veprim i Shqipërisë  i bashkohet  të një sërë vendesh të Aleancës së Atlantikut Verior, duke nisur nga Shtetet Bashkuara të Amerikës.

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar dëbimin e 60 diplomatëve ruse.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, gjithashtu e ka bërë të ditur këtë sot më herët se 14 shtete të BE-së kishin vendosur të dëbonin diplomatët rusë, si dhe vende jo anëtare të BE-së.

E para që nisi këtë aksion ishte Britania e Madhe, e cila në fillim të muajit dëboi 23 diplomatë rusë. Këto dëbime tashmë kolektive përbëjnë një dëshmi të rrallë solidariteti me Britaninë, që vjen në një kohë kur marrëdhëniet e saj me BE-në janë të tensionuara në lidhje me negociatat për “Brexit”-in.

Por Rusia, nga ana e saj ndërkohë, ka bërë të ditur se do të reagojë në mënyrë proporcionale. Moska  vazhdon të mohojë se është ajo  që kreu sulmin mbi Sergei Skripalin dhe vajzën e tij Julia , në Salisbury.

Më 4 mars, Skripal dhe vajza e tij u gjetën të pavetëdijshëm në një bankë pranë një qendre tregtare në qytetin Salisbury, 120 km në jugperëndim të Londrës. Ata të dy janë ende në një gjendje kritike në spitalin Salisbury Discrict.