AktualitetBota+PolitikëTë fundit

Rusia mohon ndihmën e talebanëve afganë

Rusia ka hedhur poshtë komentet  e komandantit të lartë të NATO-s në Afganistan se ka mbështetur dhe madje ka furnizuar me armë Talibanët, në një përplasje fjalësh, që nënvizon tensionin në rritje mbi përfshirjen e Moskës në konflikt.

Në një intervistë me BBC javën e kaluar, gjenerali Xhon Nicholson tha se Rusia po vepronte për të minuar përpjekjet e SHBA në Afganistan, pavarësisht interesave të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe narkotikëve, me indikacione se Moska po siguronte mbështetje financiare dhe madje edhe armë.

“Ne kemi pasur armë të sjella në këtë seli që na janë dhënë nga udhëheqësit afganë dhe na kanë thënë se u janë dhënë nga rusët Talibanëve”, tha ai.

Por një deklaratë nga ambasada ruse në Kabul i hodhi poshtë komentet si “thashetheme boshe”, duke përsëritur mohimet e mëparshme nga zyrtarët rusë. “Edhe një herë, ne insistojmë që deklarata të tilla janë absolutisht të pabazuara dhe t’u bëjmë thirrje zyrtarëve që të mos flasin pa kuptim”, deklaroi ambasada.

Komandantët amerikanë, duke përfshirë Nicholson, kanë pohuar në disa raste gjatë vitit të kaluar se  Rusia mund të keë furnizuar  me armë talebanët edhe pse asnjë dëshmi e konfirmuar deri më tani nuk është bërë publike.

Megjithëse, komentet e Nicholson ishin jashtëzakonisht të hapura, ato erdhën në një kontekst të tensioneve në rritje ndërmjet anëtarëve të NATO-s dhe Moskës mbi rastin e Sergei Skripal, ish-agjentit të zbulimit që u gjet i helmuar me një agjent nervash të rrallë në Britani.

Zyrtarët rusë kanë pohuar se kontaktet e tyre të kufizuara me talebanët kishin për qëllim nxitjen e bisedimeve të paqes dhe sigurimin e sigurisë së qytetarëve rusë. Moska ka ofruar të ndihmojë në koordinimin e bisedimeve të paqes në Afganistan.

Zyrtarët talebanë kanë thënë  për Reuters se grupi ka pasur kontakte të rëndësishme me Moskën që nga viti 2007, duke shtuar se përfshirja e Rusisë nuk shtrihet përtej “mbështetjes morale dhe politike”.

Moska ka qenë kritike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për trajtimin e tyre të luftës në Afganistan, por Rusia fillimisht ka ndihmuar në sigurimin e helikopterëve për ushtrinë afgane dhe ka ranë dakord për një rrugë furnizimi për materialet e koalicionit nëpërmjet Rusisë.

Pjesa më e madhe e këtij bashkëpunimi ka rënë ndërkohë që marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit u përkeqësuan gjatë viteve të fundit mbi konfliktet në Ukrainë dhe Siri./ Përkthimi/fraksion