Rama: Sektori i energjisë, ka kërcënuar financat
Kryeministri Rama, ishte sot në konferencën “Strategjia Kombëtare e energjisë 2018-2030” dhe theksoi se “Sektori i energjisë para disa vitesh gjendej në një kolaps total dhe kjo ishte pikërisht ajo që kërcënonte financat”.
Shembulli i kësaj tha z. Rama ishte kompania e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që po kalonte në një fazë dramatike. Por qeveria e tij ka bërë “një transformim të rëndësishëm në çdo aspekt”.
Kryeministri Rama tha se “Vendosja e ligjshmërisë në sektorin e energjisë dhe transformimi i kompanisë nga një aset i rrezikshëm në një aset që vlerësohet ditë pas dite riktheu besimin”.
Duke përmendur atë çfarë kishte trashëguar qeveria e tij z Rama tha se “Trashëguam një situatë ku humbjet i afroheshin 50%-it ndërsa sot janë përgjysmuar dhe strategjia parashikon që ato të shkojnë në 10%, që është norma mesatare e të gjitha vendeve të BE-së”.
Mirëpo nisja e përgatitjeve për një hap tjetër të rëndësishëm do krijojë një atmosferë të re mes konsumatorëve dhe operatorit të shpërndarjes, nënvizoi Rama. “ Kemi nisur punën për një IPO dhe shpresojmë që deri në fund të këtij viti t’i ofrojmë qytetarëve shqiptarë mundësinë e pjesëmarrjes si aksionerë në kompaninë e operatorit të shpërndarjes. Dhe shpresojmë që vitin tjetër, të kemi një benefit reciprok për qytetarët dhe kompaninë”.
Kryeministri Rama tha se në këtë aspekt është i rëndësishëm harmonizimi i tregut të brendshëm me tregun rajonal e më pas me atë europian të energjisë. Ai tha “sektori i energjisë ishte problemi më i madh, një gropë nga e cila buronin të këqija zinxhir për ekonominë e vendit. Sot është një potencial i vënë në rrugën e shfrytëzimit që mbetet sfidë e hapur. Nëse na u deshën 25 vjet për të kthyer timonin në drejtimin e duhur dhe për të shmangur humnerën para së cilës u gjendëm, 12 vjet janë shtrirja në kohë e një sfide transformuese. Në çdo ditë rezultatet vijnë në përmirësim të vazhdueshëm,” tha Rama