Prishtina nuk lejon vizitën e zyrtarëve serbë në Kosovë
Autoritetet në Prishtinë refuzuan t’u japin leje zyrtarëve të qeverisë së Serbisë për të qëndruar të hënën në Kosovë.
Ministria e Jashtme e Kosovës refuzoi të lejojë shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, dhe ministrin e Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç, që të qëndrojnë në Kosovë, ku po planifikonin të marrin pjesë në një debat me qytetarët në veri të Kosovës.
Vendimi sipas autoriteteve është mbështetur në faktin zyrtarët serbë nuk u janë përmbajtur udhëzimeve që gjatë vizitave në Kosovë të shmangin deklaratat nxitëse.
Policia e Kosovës dërgoi forca shtesë në veri për të penguar përpjekjet për të hyrë në Kosovë të disa zyrtarëve serbë, përfshirë ministrin e serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.
“Sipas informacioneve dhe deklarimeve të vetë zyrtarëve serbë, të njëjtit kanë deklaruar se edhe përkundër vendimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për ndalim të hyrjes së tyre, ata do të realizojnë vizitën e planifikuar në veri të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e policisë e cila thotë se hyrja do t’ju lejohet vetëm personave që kanë leje nga autoritetet në Prishtinë.
Policia e Kosovës ktheu mbrapsht edhe ministrin e Kulturës në qeverinë serbe Vladan Vukosavleviç, i cili tha se po synonte të vizitonte disa manastire në Kosovë.
Ai tha se veprimi i Prishtinës për të mos lejuar vizitën e tij, “nuk e ndihmon zgjidhjen e situatës”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç dhe sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, planifikonin që të merrnin pjesë në një debat me qytetarët në veri të Kosovës, rreth dialogut të brendshëm serb për Kosovën, të cilin e ka hapur vitin e kaluar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian./ VOA