FjalaTë funditUnë

Nuk kam limite për atë që dua të bëj

Nga Eva Golikja

 

Rrugëtimi i jetës fillon që me frymën e parë që marrim, dritën e parë që shohim e zërin e parë që nxjerrim. Herë i drejtë e i qetë, herë i furishëm adrenalinë plotë apo edhe me kthesa të papritura e udhëkryqe mbushur me pikëpyetje, ai arrin të nxjerrë në pah veçoritë e karakterit tonë.  Është jeta ajo që na bën të vërtetojmë sa të fortë a të dobët ndihemi përballë sfidave të ndryshme të saj. Duhet guxim të rritesh, të arrish synimet dhe të bëhësh më në fund ai që do të jesh.

Çdo të thotë të guxosh?

Të guxosh s’do të thotë vetëm të jesh në gjendje të hedhësh hapin e plotë drejt të panjohurës. Përkundrazi, guximi vjen me shumë cilësi të tjera. Kështu ti që guxon ke vullnetin e mjaftueshëm për të mos hequr dorë nga ajo ç’ka ndërmore. Ti ke forcën të pranosh e të mos fshihesh nga vetja e të tjerët, por të mbash përgjegjësi për veprimet e tua.

Jo gjithmonë është e thjeshtë të vazhdosh të qëndrosh në këmbë, kryelartë të shikosh rrugën kushedi sa të gjatë përpara, me mendjen që bind zemrën e zemrën që bind mendjen se ti guxon. Vazhdon të rendësh edhe pse mund të të duket sikur ke humbur atë hartën e vogël që të mbante në trajektoren e duhur, me çdo hap që mbart të sajën vendimarrje. Por kuraja të ushqen vazhdimisht ambicien, të jep shtysë të provosh, të eksplorosh dhe në fund t’ia dalësh mbanë duke fituar shpresë. Pastaj me shpresën fiton guximin, me guximin fiton besimin dhe kur ke besim në vetvete nuk ka limite për atë që mund të bësh.

Ka raste kur ndalon e mendohesh për atë që po ndodh rreth e rrotull teje. Sheh bashkudhëtarët që ke pranë dhe ndjen rrahjet e shpeshta e buzët e ndërgjegjes që shqiptojnë fjalën “frikë”. Megjithatë nuk stepesh. Në fund të fundit, guximi është rezistenca dhe zotërimi me mjeshtëri i frikës dhe  aspak mungesa e saj. Është frika ajo që tregon se je zgjuar, me këmbët ngulitur në tokë dhe jo mendjen në ajër. Është frika ajo që tregon se i di fort mirë rreziqet dhe vështirësitë.

Zjarri i një shpirti guximtar jo gjithmonë është ai që thërret me të madhe. Guximi është edhe ai zëri i ulët i cili në fund të ditës premton se do të ndërmarrë të njejtën iniciativë nesër, sepse ai mundet, sepse ai guxon dhe sepse e di që, ashtu si sot,  do t’ia dalë mbanë.

 

Fraksion.com