AktualitetBota+Politikë

Një avion grek ulet në aeroportin e Shkupit

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, priti në një takim në Shkup, homologun e tij  grek, Nikos Kotzias, i cili është për një vizitë zyrtare në Maqedoni, në kuadër të dialogut të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Në një konferencë për mediat pas takimit,  Dimitrov tha se kontesti po zgjat ende dhe se aktualisht po bëhen përpjekje për të ndërtuar një mirëbesim mes palëve, pasi, që siç tha ai, akoma ka paragjykime nga të dyja anët.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë theksoi se këtu ka një vullnet të mirë për zgjidhjen e kontestit, duke shtuar se shpreson që Kotzias të konfirmojë të njëjtën edhe tek pala greke, gjë e cila sipas tij, mund të vijë në shprehje më shumë gjatë takimit të përbashkët të javës së ardhshme me ndërmjetësin e Kombeve të Bashkuara (OKB), Matthew Nimic, që është planifikuar për me 30 mars në Vjenë.

Duke folur për një zgjidhje të qëndrueshme e cila do të kënaqte të dyja palët, Dimitrov tha se akoma ka shumë potencial për të gjetur një zgjidhje të pranueshme edhe për opinionin në të dyja shtetet.

“Edhe pse jemi në anë të kundërta dhe përfaqësojmë pikëpamje të ndyshme, njëkohësisht jemi në anën e njëjtë sepse po orvatemi të krijojmë një të ardhme. Ndonjëherë, kundërshtarët e kompromisit unë i përjetoj sikur të jenë në të njëjtën palë, sepse ata çojnë mbrapa, dhe kjo është një garë mes të ardhmes dhe të kaluarës. Ne në Ballkan kemi shumë të kaluar dhe pak të ardhme, prandaj është e një rëndësie suksesi i forcave që shohin drejtë së ardhmes”, deklaroi Dimitrov, duke shtuar se përkundër mosmarrëveshjeve, dy shtetet fqinje do të jenë aleat natyror në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm grek, Kotzias tha se zyrtarët e të dyja vendeve kanë për obligim t’i afrojnë dy popujt, meqë siç tha, miliona sosh transitojnë në të dyja vendet, për çka grekët në veri të vendit u gëzohen shumë turistëve të këtushëm.

Duke folur për zgjidhjen e çështjes së emrit, Kotzias tha do të jetë një zgjidhje e drejtë dhe e saktë, e cila do të marrë parasysh interesat e të dyja palëve të cilat tashmë janë shqyrtuar dhe janë duke u shqyrtuar në negociata.

I pyetur të komentojë vështirësitë të cilat mund të paraqiten me tre dokumente për emrin që janë në qarkullim, njëri i palës maqedone, njëri i palës greke dhe një dokument me propozime të ndërmjetësit Nimic të cilat u këmbyen ditë më parë, Kotzias tha se dokumentet shërbejnë për të qartësuar pozicionet e palëve dhe nuk paraqesin vështirësi.

“Tekstet e këtyre dokumenteve kanë për qëllim të qartësojnë pozicionet e palëve. Ne jemi pajtuar në pjesën më të madhe të asaj që duam, prandaj ajo që do të jetë e dakorduar mes nesh, nga Nimic do të vendoset në një tekst dhe i njëjti do t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, tha Kotzias.

Në kohën e mbajtjes së takimeve, para godinës së Ministrisë së Punëve të Brendëshme të Maqedonisë, një grup qytetarësh në mënyrë të qetë protestuan kundër ndryshimit të emrit të Republikës së Maqedonisë.

Ndryshe, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, i cili është shefi i parë i diplomacisë greke që viziton Shkupin pas një pause 12 vjeçare, takoi edhe kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa pasdite do të takohet edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.

Shefi i diplomacisë greke me avionin qeveritar mbrriti dje në aeroportin e Shkupit, në vizitën e tij të parë pas riemërimit në Aeroporti Ndërkombëtar Shkupit, si një nga hapat e qeverisë së Maqedonisë në procesin e negociatave për emrin. Kjo është hera e parë pas 12 viteve që një avion grek të ulet në aeroportin e Shkupit.