INSTAT: Janar- shkurt, në Shqipëri kanë hyrë 423 mijë shtetas të huaj
Edhe pse në dimër, fluksi i të huajve që hyjnë në Shqipëri ka ardhur në rritje. Sipas statistikave të INSTAT, në dy muajt e parë të vitit kanë hyrë 423 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vend të parë qëndrojnë shtetasit nga Kosova, të cilët pas “braktisjes” së vitit të kaluar, i janë rikthyer sërish shtetit amë. Sipas INSTAT, në dy muajt e parë të vitit kanë hyrë 140 mijë shtetas nga ky vend, me një rritje prej rreth 17%.
Në vend të dytë janë maqedonasit, me rritje 14% për dy mujorin, por që i dedikohet kryesisht janarit, pasi në shkurt numri i tyre ka qenë në rënie.
Në Shqipëri kanë hyrë rreth 61 mijë shtetas greke në janar-shkurt, me një rritje prej gati 19% me bazë vjetore.
Nuk shkoojnë vetëm shqiptarët në mal të Zi për fundjavë. Edhe malazezët kanë filluar të preferojnë Shqipërinë., duke u renditur të katërtit, me rritje prej 17%, me gati 50 mijë shtetas të hyrë.
Italianët vijojnë ta kenë të preferuar Shqipërinë, teksa numri i hyrjeve u rrit me 13% në 13 mijë shtetas.
Për shtetasit e tjerë hyrjet kanë qenë më të ulëta sesa 10 mijë. Anglezët, amerikanët, zviceranët, gjermanët polakët kanë ardhur në rritje.
Në sezonin e verës pritet që turistët e huaj të shënojnë sërish rritje. Hotelet kanë raportuar se ata janë prenotuar tashmë, ku kryesorët janë sërish polakët, ka rritje të ukrainase dhe risi këtë vit janë nordikët, që kanë rezervuar në Durrës, përmes agjencisë Apollo. Ndërsa italianët preferojnë jugun e Shqipërisë dhe kët vit do të vijnë edhe përmes agjencisë Alpi Tours.