Xhafaj në Uashington: Takime me FBI e DEA për rendin e sigurinë
Uashingtoni ka qenë ndalesa e radhës për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe grupin e punës së agjencive ligjzbatuese, të cilët po konsultohen për praktikat më të mira në fushën e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
Vizitën në kryeqytetin e SHBA-ve e ka njoftuar me anë të një postimi në Twitter vetë Xhafaj.
“Në Uashington për një vizitë zyrtare. Së bashku me mua edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe një ekip nga MB e Policia e Shtetit. Të ftuar nga kolegët dhe miqtë tanë amerikane. Një axhendë e ngjeshur takimesh në Departamentin e Shtetit, Kongres, FBI e DEA etj…”, shkruan ai.
Xhafaj sqaron se në Kongres fillimisht ka patur “takim shumë konstruktiv me kongresmenin Robert B. Anderholt dhe më pas takim me një tjetër mik të Shqipërisë kongresmenin Steve King”. Dy kongresmenët kanë shprehur “vlerësime dhe mbështetje të fortë për reformat impresionuese të qeverisë në fushën e drejtësisë dhe sigurisë”.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, ministri Xhafaj dhe ekipi shqiptar kanë pasur “një darkë pune me disa personalitete të njohur për përvojën e tyre si ligjvënës, në fushën e sigurisë dhe diplomacisë, miq e mbështetës në vite të Shqipërisë”.
“Një diskutim shumë interesant për sfidat aktuale në fushën e sigurisë kombëtare dhe luftën kundër terrorizmit”, thekson Xhafaj.