Veliaj, në Budapest për masterplanin e ri të investimeve të UKT-së
Marrëveshja e financimit me BERZH-in i hapi rrugë Bashkisë së Tiranës për të krijuar një masterplan të detajuar për investimet, me qëllim furnizimin me ujë 24 orë të kryeqytetit dhe zgjerimin e rrjetit.
Për të marrë në dorëzim masterplanin e ri të investimeve të UKT-së, kryebashkiaku Veliaj vizitoi mbrëmjen e së martës Budapestin në Hungari, me ftesë të kryebashkiakut István Tarlós, si dhe drejtor ekzekutiv të Kompanisë Shtetërore Publike të Ujësjellësit, Csaba Haranghy.
Veliaj theksoi ndër të tjera se, falë këtij bashkëpunimi Tirana ka një masterplan të ri, i cili do t’i japë zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët.
“Partneri ynë kryesor në Budapest është Kompania Shtetërore Publike e Ujësjellësit, një ndër më të mirat sot në botë. Më vjen mirë, që më në fund pas disa muajve pune, kemi një produkt konkret. Ndaj dua të falënderoj drejtorin për masterplanin e ri të Ujësjellësit të Tiranës. Sot shkojmë te kreditorët, si BERZH-i, duke pasur projekte profesioniste dhe duke prekur në mënyrë konkrete disa nga problematikat e Ujësjellësit në Tiranë. Shpresoj që tani të përsërisim në Tiranë të njëjtin sukses që kemi parë këtu në Budapest”, tha Veliaj.
Drejtori ekzekutiv i Kompanisë Shtetërore Publike të Ujësjellësit të Budapestit, Csaba Haranghy vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe theksoi se kryeqyteti shqiptar ka një masterplan për investimet në ujësjellës.
“Është një gjë shumë e mirë që përfunduam këtë masterplan, si një produkt të përbashkët, me të cilin do të pajisim Ujësjellësin e Tiranës, sesi të mund të përmirësoni në kohë afatmesme shërbimin tuaj me ujë. Tashmë mund të bëni plane veprimi të detajuara dhe mund t’i sillni bashkë me planet e investimit, kështu mund të ndërtoni projektet e nevojshme për ujësjellësin në qytetin tuaj”, tha Haranghy.
Ndërhyrja e parë do të nisë në Bovillë dhe në zonën e Yzberishtit, ndërkohë që me masterplanin e ri, qyteti ndahet në 7 zona.
Veliaj siguroi se falë kësaj reforme dhe mbështetjes së qytetarëve, Tirana ka sot një plan financimi të mirëfilltë për t’u siguruar që brenda 5 viteve të arrihet furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë.
“Me kredinë e BERZH-it nisim ndërhyrjet në Bovillë dhe në Yzberisht, ndërkohë me masterplanin e ndajmë Tiranën në 7 zona. Zona e parë që do të fillojmë do të jetë ajo e Shkozës, zona e ‘Ali Demit’, për të bërë investime specifike aty për ujë 24 orë. Do të vijojmë derisa të sigurohemi që brenda 5 viteve, falë kësaj reforme dhe mbështetjes së madhe që qytetarët e Tiranës na kanë dhënë, të kemi një plan financimi të mirëfilltë për të siguruar që të kemi ujë 24 orë në Tiranë”, nënvizoi ai.
Veliaj falenderoi qytetarët për korrektesën e treguar për shlyerjen e detyrimeve për ujin e pijshëm, ndërsa e vlerësoi të suksesshme reformën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për t’i dhënë fund vjedhjes së ujit.
“Kemi pasur një vit rekord të korrektesës qytetare, me të cilën njerëzit na janë përgjigjur kur vjen puna te pagesat, te sinjalizimi i atyre që abuzojnë me ujin e pijshëm dhe atyre që bëjnë lidhje të paligjshme. Reforma e qeverisë shqiptare dhe e kryeministrit po funksionon, por sidomos në Tiranë, ku qytetarët menjëherë janë përgjigjur, sepse ia kanë parë hajrin se çfarë do të thotë ta trajtosh me kujdes pronën publike, që pastaj të të kthehet në investim dhe të jesh i pari që merr përfitimet e këtij investimi”, tha Veliaj.