Sot kërkohen 80 vota për Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës
Edhe pse kaluan rreth nëntë orë debate e polemika në Kuvendin e Kosovës përsëri nuk mjaftuan për të votuar për marrëveshjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Seanca është shtyrë që të vazhdohet sot në orën 11.00, kur me gjasë do të iniciohet edhe procedura e votimit, ndonëse sipas koalicionit qeverisës votimi do të ndodhë vetëm nëse paraprakisht sigurohen votat për ratifikim.
Në mbështetje të marrëveshjes 78 deputetë, ndërkaq mungonin edhe të paktën dy vota. Njëra votë, sipas pritjeve të spektrit që mbështetë marrëveshjen eventualisht mund të shtohet sot, kur deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi pritet të kthehet, ngaqë ai mungoi të martën me arsyetimin se kishte probleme shëndetësore.
Kurse vota tjetër, ka të bëj me deputetin e komunitetit goran, nga Lista Serbe, Adem Hoxha i cili të martën nuk ishte i pranishëm në seancë.
Prania e këtyre dy deputetëve në vazhdimin e seancës dhe vota e tyre pro-demarkacionit, shihet si esenciale për kalimin e marrëveshjes.