AktualitetPolitikëTë fundit

Sërish gaz në Kuvendin e Kosovës

Gazi lotsjellës u rikthye në parlamentin e Kosovës.

Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje e hodhën atë dy herë të mërkurën për të penguar votimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Seanca për votimin e marrëveshjes pasoi debatin prej rreth nëntë orësh të një dite më parë, në përpjekje për t’i dhënë fund një periudhe më shumë se dy vjeçare të përplasjeve e mospajtimeve të thella ndërmjet subjekteve politike të ndara rreth rrjedhojave të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.

E nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015, ajo është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Muajin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç u pajtuan për shqyrtimin e gabimeve të mundshme në marrëveshje, duke rihapur diskutimet për ratifikimin e mundshëm të saj nga parlamenti i Kosovë

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane, ndërsa është edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com