Nuk po kërkojmë një favor, përveçse afirmimit të asaj që meritojmë
Pas eventit “Miqtë e Shqipërisë”, të zhvilluar në Parlamentin Europian, Kryeministri Rama u shpreh edhe një herë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kërkojnë asnjë favor në hapjen e negociatave, por atë që meriton. “Nuk po kërkojmë një favor, nuk po kërkojmë një dhuratë, nuk po kërkojmë një shprehje tjetër, përveçse afirmimit të asaj që meritojmë, hapjen e negociatave. Shpresojmë dhe besojmë që Komisioni të jetë i drejtë me Shqipërinë dhe të bëj një rekomandim të qartë dhe pastaj, sigurisht mbetet beteja diplomatike për të bindur çdo vend anëtar dhe për të bërë çmos që problematika të ndryshme brenda vendeve të mos kthehen në një arsye që të penalizohet Shqipëria”, – u shpreh Kryeministri Rama në një prononcim për median.
Reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut posaçërisht ka filluar të japin rezultatet e para, rezultate të cilat, nënvizoi Kryeministri, do të thellohen. “Tanimë janë rezultatet që kanë filluar të flasin për reformën në drejtësi. 17 pesha të rënda të sistemit janë tërhequr vetë, nuk kanë shkuar në procesin e vettingut. Dëgjesat, në dijeninë time, fillojnë këtë javë dhe të tjerë do të përballen me procesin e vettingut, pra, pastrimi i sistemit ka nisur”.
“Do të kishte qenë vërtetë e mrekullueshme, – shtoi Kryeministri, – që të ishim këtu sëbashku me kryetarin e opozitës, sikundër e patëm biseduar në mbrëmjen e gjatë të 17 majit, por për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur dhe do të na duhet që boshllëkun e madh që ka krijuar opozita dhe posaçërisht PD në këtë proces,ta mbushim me forcat tona. Nuk dua të bëj komente për opozitën. Opozita zgjedh dhe vendos atë që sheh më të arsyeshme. Populli sheh dhe gjykon, përfshirë dhe votuesit e opozitës, por dua të them që mungesa e opozitës në këtë proces apo disa deklarata të llojit “më ka çuar nana me la gojën”, janë vërtetë për të ardhur keq”.