AktualitetBota+NATO/BEPolitikëTë fundit

NATO, Rusisë: Zbulo programin Novichok në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike

Sekretari i Jashtëm  i  Britanisë së Madhe Boris Johnson, ishte në selinë e NATO-s në Bruksel në një takim pune mbi përditësimin dhe zhvillimet më të fundit në hetimin e Salisbury-t.

Në konferencën e përbashkët për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe Boris Johnson, Stoltenberg tha se “Sulmi në Salisbury ishte përdorimi i parë i një agjenti nervor në territorin e Aleancës. Tregoi mungesë respekti për jetën njerëzore. Sulmi ishte një shkelje e papranueshme e normave dhe rregullave ndërkombëtare. Aleatët e NATO-s janë bashkuar në dënimin e këtij sulmi dhe ata kanë ofruar mbështetjen e tyre për hetimin në vazhdim”.

Përgjigja e Rusisë deri tani ka treguar një shpërfillje të qartë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. “Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që të sigurojë zbulimin e plotë të programit Novichok në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike. Ne mirëpresim bashkëpunimin e Britanisë së Madhe me OPCË në hetimin e këtij sulmi të tmerrshëm.  Sulmi në Salisbury vjen në sfondin e një modeli të sjelljes së pamatur të Rusisë”, tha Stoltenberg.

“NATO po i përgjigjet këtij modeli të sjelljes. Ne kemi parë aneksimin e paligjshëm të Krimesë, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne kemi parë përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të destabilizuar Ukrainën Lindore dhe ne kemi parë që Rusia vazhdon të ndërhyjë në proceset tona demokratike politike dhe të minojë institucionet tona demokratike. Kemi parë lloje të ndryshme të taktikave hibride duke përfshirë sulmet kibernetike.
Qasja e NATO-s ndaj Rusisë është e fortë, mbrojtëse dhe proporcionale. Ajo kombinon parandalimin e fortë dhe mbrojtjen me hapjen ndaj një dialogu kuptimplotë”, theksoi Jens Stoltenberg.

Kurse Boris Johnson, Sekretar i Shtetit për Çështjet e Jashtme dhe të Komonuelthit të Mbretërisë së Bashkuar, tha se “Ne u takuam për të diskutuar, mbi sulmin kundër Sergeit dhe Julia Skripal duke përdorur një agjent të klasës ushtarake. Dhe ju dhe unë, Sekretari i Përgjithshëm, jemi të qartë se përdorimi i një agjenti të tillë është një shkelje e Konventës për Armët Kimike dhe një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për ju, Jens, për deklaratën personale që keni bërë kaq shpejt pas sulmit.

Ne ndajmë mendimin se helmimi i Sergei Skripal nuk është një rast i izoluar, por më i fundit në një model të sjelljes së pamatur nga ana e shtetit rus. Kjo sjellje shkon përara shumë viteve. Nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në sulmet kibernetike dhe përfshirja e saj në luftën siriane, Rusia ka treguar veten, shteti rus ka treguar se ka një shpërfillje të hapur për rendin ndërkombëtar, për të drejtën dhe vlerat ndërkombëtare, vlerat tona. Këto vlera qëndrojnë në zemër të NATO-s dhe gjithçka që bëjmë, prandaj aleatët tanë të NATO-s kanë treguar një mbështetje kaq të fortë dhe të pandarë”.

Deklarata e Këshillit të Atlantikut të Veriut të lëshuar javën e kaluar “është një deklaratë e qartë e fuqishme e mbështetjes politike dhe demonstron unitetin, aftësinë dhe vendosmërinë e NATO-s për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballemi së bashku. Ne qëndrojmë të bashkuar përballë fatkeqësive, qoftë në përgjigje të sulmit në Salisbury apo  ndonjë kërcënimi për çdo aleat të NATO-s, që është parimi themelues i kësaj organizate”. Burimet e NATO-s