Hoti: Me këtë votim mbyllen të gjitha konspiracionet
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas miratimit të Marrëveshjes së demarkacionit, ka thënë se të gjithë deputetët e LDK-së kanë votuar pro demarkacionit.
“LDK dhe 27 deputetë e saj e kanë dhënë votën. Me këtë votim mbyllen të gjitha konspiracionet e ndryshme dhe presionet që u janë bërë deputetëve në këtë drejtim”, ka thënë Hoti.
Kuvendi i Kosovës ka arritur të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit i dhanë dritën e gjelbër kësaj marrëveshje.
Kjo marrëveshje është votuar pas katër tentimeve për pengim që i bëri Vetëvendosje me hedhjen e gazit lotsjellës.
Si pasojë e këtyre veprimeve të deputetëve të VV-së, shumica nga ta u përjashtuan nga seanca.
Në momentin kur është votuar demarkacioni i pranishëm në seancë ka qenë vetëm deputeti i VV-së, Glauk Konjufca i cili së bashku me deputetët e GDP-së votuan kundër kalimit të kësaj marrëveshje.