Aeroporti i Vlorës, qeveria vendim për përzgjedhjen e konsulentit që do asistojë negociatat me turqit
Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë një vendim që autorizon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të përzgjedhje përmes një procedure te përshpejtuar konsulentin që do asistojë në negocimin e kontratës me konsorciumin turk për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Vendimi vjen vetëm dy muaj pas bërjes publike të interesit që shprehën tre kompani të bashkuara në një të vetme për të ndërtuar aeroportin në Jug të vendit që vlerësohet me një kosto 100 milionë euro.
Me një procedurë të përshpejtuar qeveria miratoi një vendim që autorizonte një komision të posaçëm për të hyrë në negociata me konsorciumin turk ndërkohe që tashmë konsulenti që do të përzgjidhet do të asistojë komisionin pikërisht në këto negociata. Qeveria nuk ka qenë e qartë për modelin që do të ketë menaxhimi I aeroportit të Vlorës I cili është cilësuar se nuk do të jetë as as koncesion dhe as garë normale me procedurë tenderimi. Gjithsesi është shprehur një gatishmëri për të siguruar fitimet e turqve.
Interesi për ndërtimin është shfaqur nga kompanitë Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction dhe ndërtimi është lakuar se do të gjenerojë vendeve pune të konsiderueshme si në fazën e ndërtimit ashtu edhe gjatë operimit.
Vendimi i qeverisë
V E N D I M
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË TË PËRSHPEJTUAR DHE TË KRITEREVE PËR PËRZGJEDHJEN E KONSULENTIT QË DO TË ASISTOJË KOMISIONIN PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS, NDËRMJET SHTETIT SHQIPTAR DHE SHOQËRIVE “ÇENGIZ CONSTRUCTION & KALYON & KOLIN CONSTRUCTION”, ME OBJEKT PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE MENAXHIMIN E AEROPORTIT TË VLORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të ligjit nr.4/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë ngarkohet me cilësinë e autoritetit kontraktor që të krijojë komisionin për ndjekjen e procedurave për përzgjedhjen me procedurë të veçantë të konsulentit për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”.
- Komisioni të përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë, specialistë të fushave përkatëse të autoritetit kontraktor (juristë, ekonomistë dhe inxhinierë).
- Komisioni do të kryejë identifikimin e shoqërive konsulente që ofrojnë shërbim në fushën e këshillimit juridiko-financiar e teknik, bazuar edhe në eksperiencat e mëparshme të bashkëpunimit të shtetit shqiptar me këto shoqëri, si dhe në vlerësimet e këtyre konsulentëve në publikime kombëtare dhe ndërkombëtare.
- Ftesa për ofertë duhet të përmbajë specifikimin e objektit dhe të llojit të shërbimit të kërkuar, nevojën e kontraktimit të konsulentëve, kriteret e përgjithshme e të veçanta që duhet të plotësohen nga konsulentët dhe datën përfundimtare të pranimit të kërkesës nga të interesuarit dhe:
- a) në çdo rast, numri i shoqërive të identifikuara nuk duhet të jetë më i vogël se tre;
- b) komisioni fton të gjitha shoqëritë që të paraqesin dokumentacionin për të provuar kapacitetin e tyre për përmbushjen e objektit të kësaj kontrate, brenda një periudhe jo më shumë se 7 ditë nga data e dërgimit të ftesës. Ftesa dhe kriteret e përzgjedhjes duhet të përmbajnë elementet që përcaktohen në këtë vendim;
- c) komisioni vlerëson kompanitë që përmbushin kriteret dhe i fton ato për paraqitjen e ofertës teknike dhe financiare;
ç) në përfundim të vlerësimit, komisioni harton një raport përmbledhës për zhvillimin e procedurës dhe ia paraqet për miratim titullarit të autoritetit kontraktor;
- d) komisioni vazhdon vlerësimin edhe në rast të paraqitjes së një oferte/operatori ekonomik të vetëm, brenda afatit të fundit të paraqitur në ftesën për ofertë;
- dh) në rast kualifikimi të një ose më shumë ofertave, komisioni i lë kohën e nevojshme, por jo më shumë se 10 (dhjetë) ditë pune, ofertuesit/ofertuesve për paraqitjen e ofertës tekniko-financiare.
- e) pas paraqitjes së ofertave/ofertës, komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve pune, bën vlerësimin përfundimtar dhe harton raportin përfundimtar sipas përcaktimit në shkronjën “ç”, të këtij neni.
- Kriteret ligjore, teknike dhe financiare që duhet të plotësojnë ofertuesit/operatorët ekonomikë për pjesëmarrje dhe kualifikim janë, si më poshtë:
- a) Të kenë dokumentacionin e regjistrimit në QKB ose një dokument ekuivalent për operatorët e huaj;
- b) Të kenë një vetëdeklarim që operatori nuk është në proces falimentimi dhe në ndjekje penale;
c)Të kenë, të paktën, një kontratë për shërbim të ngjashëm, të realizuar brenda tri viteve të fundit. Shërbimi duhet të jetë ofruar dhe realizuar për një investim me vlerë minimale 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) euro;
ç) Të kenë një xhiro vjetore mesatare të tri viteve të fundit jo më pak se 50% të vlerës së investimit;
- d) Të kenë një përshkrim të detajuar i metodologjisë që do të përdoret për realizimin e shërbimit të kërkuar të shoqëruar me një grafik të hapave që do të ndërmerren dhe afatet përkatëse.
- Ofertat e kualifikuara do të vlerësohen në bazë të çmimit të ofruar. Oferta me çmimin më të ulët do të jetë oferta fituese. Fondi limit është 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, pa përfshirë TVSH-në.
- Operatorët duhet të paraqesin ofertat e tyre, në zarfa të mbyllur, të firmosur dhe të vulosur me shënimin:
“Për procedurën e veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”.
Të mos hapen para datës dhe orës së përcaktuar në ftesën për ofertë.
Autoritetin kontraktues dhe adresën.
Emrin e ofertuesit dhe adresën e tij, kontaktin telefonik, e-mail.
Në ofertën e tyre konsulentët mund të deklarojnë që do të bashkëpunojnë me firma lokale për çështje të ndryshme teknike.
- Ofertat hapen nga komisioni në vendin, datën dhe orën e përcaktuar në ftesën për ofertë. Komisioni shqyrton dokumentacionin e paraqitur nëse është në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi dhe ftesës për ofertë.
Komisioni, brenda 3 (tri) ditëve pune, njofton dhe fton ofertuesit e kualifikuar për paraqitjen e ofertës teknike dhe financiare, ndërsa ofertuesit e pasuksesshëm për arsyet e skualifikimit.
- Ofertuesi i skualifikuar ka të drejtën e ankimimit pranë titullarit të autoritetit kontraktor. Titullari i autoritetit kontraktor cakton një person për shqyrtimin e ankesës dhe i kthen përgjigje brenda 2 (dy) ditëve.
Në rast se ankesa merret në konsideratë, operatorit i lihen në dispozicion 10 (dhjetë) ditëve për përgatitjen e ofertës tekniko-financiare. Ky vendim i bëhet i ditur edhe operatorëve të tjerë të kualifikuar duke përcaktuar afatin e ri.
Ankimimi nuk e pezullon procedurën e garës.
- Pas miratimit të raportit përmbledhës nga titullari i autoritetit kontraktor, komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve, fton operatorin fitues të negociojë kushtet e kontratës. Çmimi si kriter i vlerësimit është kusht i panegociueshëm. Palët duhet të përfundojnë negociimin brenda 7 (shtatë) ditëve. Nëse dështojnë negociatat me operatorin fitues ose nëse ai tërhiqet, komisioni fton për negociim operatorin e radhës, nëse ka. Në rast se nuk mbetet asnjë ofertues në garë, autoriteti kontraktor do të rihapë garën.
- Në rast të një procedure të suksesshme për negociimin dhe nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës me shoqëritë “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, komisioni i negociimit të kontratës do të vendosë si kusht në kontratën e konsulencës edhe detyrimin e këtyre shoqërive për të paguar vlerën përkatëse të paguar nga autoriteti kontraktor për konsulencën e dhënë nga operatori ekonomik fitues.
- Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.