AktualitetEkonomiTë fundit

FMN:Rritja ekonomike do të jetë 3,7 për qind për këtë vit

Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet prerazi se praktika aktuale e dhënies së koncesioneve, nga qeveria shqiptare me propozime të pakërkuara duhet elemenuar.

“Cili është procesi për përzgjedhjen e investimeve publike, sepse nuk është çështje vetëm e PPP? Përpara se të merret vendim, të bëhet një vlerësim i kujdesshëm në mënyre që qeveria të mos marrë më shumë rreziqe dhe bëhet fjalë për projekte që jo me doemos i shfaqin risqet në pasqyrat e qeverisë. Në rastin e propozimeve të pakërkuara, është parë që zakonisht ndodh që qeveria merr më shumë rreziqe, të cilat më pas sjellin kostot e tyre përkatëse. Prandaj dhe qeveria duhet të kujdeset që të bëjë një përzgjedhje të duhur dhe një analizë të duhur të propozimeve të ndryshme që vinë, pra të investimeve publike në përgjithësi”, thotë FMN.

Një mision i FMN vizitoi zyrtarisht për dy javë Tiranën ku bëri dhe monitorin e parë të ekonomisë shqiptare pas përfundimit të programit të asistencës një vit më parë. Sipas Fondit, rritja ekonomike do të jetë 3,9 për qind për 2017 dhe 3,7 për qind për këtë vit. Por, nuk është momenti për vete kënaqësi, pasi për shkak të faktorëve të ndryshëm, kjo rritje mund të mos zgjasë.

“Në aspektin e brendshëm jemi në kushtet e borxhit të lartë publik dhe nivelit të lartë të kredive nën standard, po kështu jemi në kushtet e një mjedisi të vështirë të të bërit biznes, çka e vështirëson bërjen e investimeve”, deklaron FMN.

Në deklaratën e saj FMN zbulon se në planet Qeverisë është edhe ngritja e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike, për çka këshillon që të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare, pasi sipërmarrje të tilla shoqërohen me rreziqe fiskale, financiare.

Për Fondin duhet parë me kujdes edhe procesi i ndryshimit të pronësisë së bankave që të mos u shiten bizneseve pa përvojë.

“Pikëpyetja është kush po blen dhe duhet të sigurohemi që blerësi të përmbushë standardet ndërkombëtare. Janë paratë e publikut në lojë”, thotë shefja e FMN, Anita Tuladhar.

Në fund, FMN përsëriti edhe njëherë se është kundër vendosjes së TVSH-së për biznesin e vogël, pasi ajo gjykon se autoritetet tatimore nuk i kanë kapacitetet administruese.