AktualitetBota+Life StylePolitikëTë fundit

Arrestohet ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy është paraburgosur më 20 mars, si pjesë e një hetimi lidhur me financim të paligjshëm gjatë fushatës së tij më 2007 nga regjimi i diktatorit libian Muammar Qaddafi, raportojnë mediat.

Sarkozy është marrë në pyetje nga policia në stacionin në Nanterre, në perëndim të Parisit. Mediat kanë cituar burime brenda sistemit gjyqësor, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, pasi nuk janë të autorizuar për të folur për këtë çështje publikisht.

Autoritetet franceze kanë hapur një hetim më 2013 mbi dyshimet se fushata e Sarkozy më 2007 është financuar nga fondet e Qaddafit.

Është hera e parë që ai merret në pyetje për këtë hetim. Disa javë më parë ish-bashkëpunëtori i tij, Alexandre Djouhri, ishte arrestuar dhe më pas ishte liruar me kusht.

Brice Hortefeux, ish-ministër dhe aleat i ngusht i Sarkozy, po ashtu është marrë në pyetje sot lidhur me këtë rast.

Avokati i Sarkozy nuk ka komentuar lidhur me marrjen në pyetje të klientit të tij.

Sarkozy, i cili ka qenë president nga 2007 deri më 2012, ka mohuar se ka pranuar fonde nga Libia dhe i ka quajtur këto akuza si “groteske”.